Cilat janë procedurat e aplikimit?
Për të aplikuar, drejtohuni në një nga bankat apo institucionin finaciar jo bankë, partner i programit për kredi. Institucionet Financiare Pjesëmarrëse janë: Banka Intesa Sanpaolo. Banka Credins; Tirana Bank; ABI Bank, Societe Generale Albania, Union Bank, Fondi Besa, FedInvest dhe NOA. Pranë ketyre Institucioneve Financiare do të informoheni për dokumentacionin që duhet të plotësoni për tu bërë pjesë e projektit.
Cilat janë kërkesat specifike të pranueshmërisë për SME-të?
Kushtet e pranueshmërisë për SME-të janë:
-
Shoqëria është e regjistruar në Shqipëri;
-
Jo më pak se 51% e kapitalit të shoqërisë zotërohet nga shtetas shqiptar;
-
Qarkullimi vjetor jo më i lartë se 10 milion Euro;
-
Numri i punonjësve jo më i lartë se 250.
Sa është shuma minimale dhe maksimale dhe e kredisë?
Shuma Minimale e kredisë që mund të jepet është 15,000 Euro.
Shuma Maksimale e kredisë që mund të jepet është 500,000 Euro.
Sa është norma maksimale e interesit të kredisë që aplikohet?
Norma maksimale e interesit që aplikohet është 3% interes vjetor për kredinë në Euro dhe 4% interes vjetor për kredinë në Lek.
Sa është periudha e shlyerjes së kredisë?
Periudha e shlyerjes së kredisë është nga 3 deri në 8 vjet
A është kusht i financimit të projektit blerja e makinerive dhe pajisjeve me origjinë italiane?
Po një nga kushtet e pranueshmërisë së Projektit nga banka për kredi nga 50,000 Euro deri në 500,000 Euro është:
-
Jo më pak se 70% e vlerës së financuar të projektit do të përdoret për blerje: makineri, pajisje, teknologji, asistencë teknike, licensa industriale, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe lëndë e parë me origjinë Italiane;
-
Jo më shumë se 10% e kredisë mund të përdoret për blerjen e lëndës së parë që lidhet me investimin kryesor;
-
Jo më shumë se 30% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale ose nga vende të tjera fqinje në zhvillim.
Ndersa për kredi nga 15,000 Euro deri në 50,000 Euro është:
-
Jo më pak se 40% e kredisë do të përdoret për blerje: makineri, pajisje, teknologji, asistencë teknike, licensa industriale, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe lëndë e parë me origjinë italiane;
-
Jo më shumë se 60% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale
A kanë të drejtë SME-të e huaja të aplikojnë?
Jo, vetëm SME-te e regjistruara në Shqipëri dhe ato ku jo më pak se 51% e kapitalit të shoqërisë zotërohet nga shtetas shqiptar
A mund të përfitoj kredi për blerjen e makinerive e pajisjeve të përdorura?
Po. I vetmi kusht është origjina e makinerive, pajisjeve dhe linjave teknologjike duhet të jetë italiane.
Cilat SME mund të përfitojnë nga Fondi i Garancisë së Programit?
Vetëm SME-të që plotësojnë kriteret dhe kushtet e pranueshmërisë nga Linja e Kredisë, kanë të drejtë të përfitojnë nga Fondi i Garancisë.
Si duhet të aplikoj për të përfituar nga Fondi i Garancisë së Programit?
SME-të duhet të aplikojnë në bankë apo institucionin financiar jo bankë, partner i programit për të diskutuar nevojat e tyre të financimit. Institucioni financiar pjesëmarrës do të vlerësojë aplikimin në bazë të kritereve të pranueshmërisë dhe të nevojave financiare të ndërmarrjes. Nëse plotësohen kushtet e pranueshmërisë, por për mungesë kolaterali SME-ja ka nevojë për të aplikuar për një mbulim nga Fondi i Garancisë, Banka pjesëmarrëse do të paraqesë kërkesën së bashku me informacionin e nevojshëm.
Çfarë është Programi për Mbështetjen e Biznesit?
Programi i Mbështjetjes së Biznesit është hartuar dhënies së granteve për tu siguruar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) shqiptare një qasje në financim, për t’ju krijuar mundësi atyre për marrjen e shërbimeve të konsulencës profesionale që i përshtaten rrethanave të tyre specifike, duke ofruar përvoja dhe praktika më të mira, të cilat do të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe përformancës ekonomike të tyre.
Cilat SME mund të përfitojnë nga Programi për Mbështetjen e Biznesit?
Kriteret e Pranueshmërisë për Ndërmarrjet
-
Të jenë të themeluar sipas legjislacionit kombëtar dhe të regjistruar në përputhje me legjislacionin Shqiptar në QKB;
-
Të jenë persona juridikë me jo më pak se 51% të kapitalit në pronësi të shtetasve shqiptarë;
-
Të jenë ndërmarrje, të cilat punësojnë më pak se 250 persona;
-
Të jenë ndërmarrje që kanë xhiro vjetore, që nuk e tejkalon shumën 10 milion Euro;
-
Të ketë mjete të mjaftueshme financiare për të financuar kontributin e vet prej 50% të kostos totale të projektit;
-
Të vërtetojnë, që nuk kanë detyrime tatimore të papaguara në Drejtorinë Rajonale Tatimore.
